Madrid - Jose Mourinho nuk ndryshon kurrë dhe del sërish kundër rrymës. Shtatë pikët diferencë me rivalët e përjetshëm janë shumë, të paktën për opinionin futbollistik në Spanjë, që e sheh Realin e Madridit kampionin
e ri të Primera Division. Por nuk mendon kështu tekniku portugez, i cili zbeh euforinë e skuadrës së tij, duke u shprehur se kampionati është ende i gjatë dhe se të gjithë futbollistët duhet të japin maksimumin deri në fund.
"Ende nuk e kemi prekur titullin, kështu nuk mund të themi se jemi kampionë. Kështu e mendoj unë. Kampionati zgjat deri në maj dhe vetëm atëherë mund të festojmë. Sigurisht jemi skuadra më e mirë. Kryesojmë kampionatin dhe jemi kualifikuar me një ecuri record në Ligën e Kampioneve. Tani duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm"- ka thënë Mourinho. Tekniku i Realit të Madridit ka folur në prag të ndeshjes së radhës në Primera Division, ku skuadra e tij do të luajë në tranfertën e vështirë kundër Getafe. Mourinho llogarit tri pikët e fitores në këtë sfidë duke i besuar sërish treshes magjike Ronaldo-Ozil-Kaka.
"Për fat të mirë të gjithë lojtarët janë në një formë të shkëlqyer fizike. Nuk e kam zakon të flas për formacionin, por mund të them se cdo trajer do të donte që të kishte luksin për të zgjedhur"- është shprehur Mourinho. Pas 20 javëve të luajtura deri tani në kampionatin spanjoll, Reali i Madridit kryeson renditjen me 52 pikë.