Manchester - Nëse deri pak ditë më parë ishte emri më i përfolur në merkato, tani Carlos Tevez mendon t'i japë fund karrierës së tij si futbollist. Hakmarrja e Manchester City po plotësohet deri në fund, pasi klubi anglez refuzoi
të shiste sulmuesin argjentinas në fillim te Milan dhe më pas te Paris SG, duke zbehur shpresat e tij për një të ardhme në nivele të larta në futbollin botëror.
Kjo konfirmohet nga mediat argjentinase që duke cituar burime pranë Carlos Tevez bëjnë të ditur se sulmuesi mund të largohet përfundimisht nga fushat e lojës. Nëse lojtari duket i dorëzuar, në drejtim të tij vazhdojnë të vijnë sërish. Milan ka lënë të hapur mundësinë e transferimit të 28-vjeçarit në merkaton e verës, por deri atëherë janë Boca Juniors dhe rusët e Anzhi që kërkojnë të përfitojnë nga situata.
Klubi argjentinas nuk ka mundësi të përmbushë kërkesat financiare të Manchester City, por bazohet te dëshira e vetë futbollistit që me këtë skuadër ka fituar titullin kampion, Kupën Libertadores dhe një Botëror për Klube. Më bindëse është oferta e Anzhi, të cilës nuk i mungojnë financat dhe pas blerjes së bujshme të Roberto Carlos apo Samuel Eto është gati të shpenzojë 30 milionë euro për të marrë shërbimet e Carlos Tevez.