Tirane - Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ditën e sotme, rreth orës 15:30, u krye ekstradimi nga Athina, Greqi, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ylli KAPO , vjeç 32, lindur në Gjirokastër.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr. 12, datë 18.02.2008, e ka dënuar shtetasin Ylli KAPO, me 8 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Shtetasi Ylli KAPO, është shpallur fajtor pasi më datë 16.07.2006, në Derviçan, Gjirokastër, në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, ka transportuar 648 kg Cannabis Sativa. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, më datë 09.11.2011, në Athinë, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas shtetasi i mësipërm i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.