Tirane - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana informon se në Greqi është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Feta Faslli Kaja, 36 vjeç, lindur në Mbrostar Ura-Fier. Gjykata e Rrethit
Gjyqësor Fier, me vendimin nr.44, datë 27 shkurt 2002, e ka dënuar shtetasin Feta Kaja, me “burgim të përjetshëm“, për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim”.
Shtetasi Feta Kaja, është shpallur fajtor pasi më datën 07.08.1999, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Viktor Pelivani dhe Jurgen Bacja, kanë hyrë me qëllim vjedhjen e parave në banesën ku jetonin shtetasit Bajram Driza dhe Natasha Driza. Pasi janë diktuar prej këtyre shtetasve në momentin e vjedhjes, shtetasi Feta Kaja ka qëlluar me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy bashkëshortëve.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, më datë 16.02.2012, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.