Tirane - I ftohti polar që përfshiu Shqipërinë solli vështirësi të mëdha për banorët e zonave veriore, verilindore dhe juglindore të vendit. Dëbora e madhe, trashësia e së cilës në mjaft vende arriti edhe mbi 3 metër, e shoqëruar me temperatura tepër të ulëta dhe ngrica,
izoloi një pjesë të madhe të zonave në qarkun e Kukësit, Shkodrës, Dibrës, Korçës etj dhe vështirësoi komunikimin e tyre me pjesën tjetër të vendit. Në këto kushte, Forcat e Armatosura, veçanërisht Baza Ajrore e Farkës kanë pasur këto ditë mjaft detyra të vështira për të zgjidhur, në ndihmë të popullsisë së zonave të bllokuara nga dëbora.
Që nga fillimi i operacionit të emergjencës, helikopterët e Bazës Ajrore të Farkës kanë kryer mbi 60 misione dhe 76 orë fluturimi. Janë evakuar mbi 72 persona të sëmurë, gra shtatëzëna, të moshuar dhe fëmijë, si dhe banorë të bllokuar nga bora. Gjithashtu janë shpërndarë rreth 57 ton ndihma ushqimore dhe medikamente mjekësore.
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, gjatë një inspektimi që bëri në qarkun e Kukësit, vlerësoi lart kontributin e madh të pilotëve ushtarakë. “Ju keni kryer operacione të vështira, është shprehur z. Imami, keni treguar një shpirt të lartë sakrifice, na e keni zbardh faqen, sepse keni kryer misione të shumta humanitare në shërbim të njerëzve të rrezikuar. Unë kam vetëm falenderimet dhe përgëzimet më të mira për ju. Keni falenderime edhe nga Kryeministri dhe të gjithë Shtabet e Emergjencave”.
Ndonëse në një situatë të rënduar dhe në kushte mjaft të vështira atmosferike, pilotët e helikopterëve të Forcave Ajrore kanë kryer misione mjaft të vështira në zona të thella të vëndit.
Në këtë varg heroizmi të tyre mund të përmendim:
Më 15 shkurt : një helikopter AB 205, në kushtet e një mjegulle dhe ere të fortë, kreu një mision fluturimit të suksesshëm në fshatin Arrën të Kukësit për evakuimin e një gruaje shtatëzënë drejtë spitalit rajonal të këtij qarku.
Më 16 shkurt: një helikopter i Bazës Ajrore Farkë, në kushte mjaft të vështira të motit kreu një mision fluturimi për evakuimin e dy grave të sëmura nga fshati Kalis dhe i dërgoi në Spitalin Rajonal, Kukës. Po në këtë ditë, një helikopter AB 205 kreu një mision tjetër për ndërrimin e personelit të shërbimit në Pikën e Transmetimit në majën e malit Mid, në Pukë.
Më 17 shkurt: një helikopter i Bazës Ajrore të Farkës kreu një mision për evakuimin e 4 personave nga fshati Vilë për në Spitalin e Shkodrës.
Më 18 shkurt: janë kryer 8 misione fluturimi, ku ndër të tjera, mund të përmendet evakuimi i një të sëmuri nga “Bajram Curri” në Spitalin Ushtarak, Tiranë.
Vetëm gjatë datës 19 shkurt: helikopterët e Bazës Ajrore të Farkës, një pjesë e të cilëve të instaluar prej ditësh në aeroportin e Kukësit, kanë kryer 16 misione fluturimi, nga të cilat një mision evakuimi dhe 15 misione “transportim ndihmash ushqimore dhe mjekësore”, duke filluar që nga Thethi, Valbona, Kukësi dhe deri në fshatrat e Gramshit.
Është për t’u vlerësuar gatishmëria dhe përkushtimi i pilotëve dhe i teknikëve, të cilët edhe pse në situata të vështira të emergjencës, në kushtet e një moti të keq dhe dëbore të paparë, kanë manifestuar gatishmëri, përkushtim dhe shpirtë të lartë përgjegjësie e sakrifice në shërbim të njerëzve në nevojë. Kanë fluturuar këto ditë pilotët: kolonel Frederik Beltoja, nënkolonel Altin Lama, major Amarildo Martini, major Arjan Çibuku, major Avni Goga, major Agim Sallaku, major Dritan Dyrmishaj, major Sokol Feka, kapiten Ervin Buzi, toger Klajdi Tushe, të mbështetur nga teknikët: kapiten Hamit Koxhaj, kapiten Bujar Avdo, rreshter Dritan Sejdini, rreshter Besnik Fusha, rreshter Genci Dervishi, etj.
Puna dhe heroizmi i kësaj trupe të shkëlqyer pilotësh të Forcave tona të Armatosura, është vlerësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, por edhe nga i gjithë populli.
Forcat e Armatosura vijojnë pa u ndalur operacionin në të gjitha zonat e bllokuara nga dëbora, jo vetëm me Forcat Ajrore, por edhe me forca dhe mjete tokësore për të hapur të gjitha akset rrugore të bllokuara dhe për të krijuar një normalitet për jetën e banorëve të komunave dhe të fshatrave të thella që ende janë të izoluar.