Kukës - Të afërmit nuk mund të vizitojnë varrezat e qytetit dhe ata që ndahen nga kjo jetë nuk kanë ku të varrosen. Paradoksi ndodh në qytetin e Kukësit ku pronari i tokës së varrezave i ka mbyllur ato pasi sipas tij nuk ka marrë
paratë e shpronësimit për tokën e përdorur. Prej një viti janë mbyllur të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale por vetë pronari nuk ka marrë asnjë lek për tokën që përdoret nga bashkia për varreza.
"Varrezat i kam mbyllur se është në pronësinë time dhe ka 10 vjet që ma ka mbyllur bashkia dhe nuk më japin paratë. Tokën mua ma ka marr bashkia e Kukësit. Kam vendim të këshillit bashkiak, komisionit të kompensimit dhe kthimit të pronave që është prona ime. ", thotë Hazir Zeneli, pronari i Tokës së Varrezave.
Ndërkohë që për qytetarët ky problem duhet të zgjidhet sa më shpejt pasi njerëz vdesin përditë e nuk është normale që të afërmit të mos mund të hyjnë në varreza. "Nuk ka nevojë të shkojmë të prisim varrezat dhe të dalë prona e imja. Këtu e ka në dorë shtetit. Këtë e ka kompetencë bashkia", thotë një qytetar. "Nuk ka të drejtë të ndalojë të shkosh tek njerëzit e vdekur. Për mua nuk është e drejtë. Nëse pronari e ka tokën e vet dhe e ka me dokument atëherë bashkia duhet të gjejë rrugë tia blejë, s'ka rrugë tjetër", shprehet një tjetër.
Pas interesimit tonë në bashkinë e qytetit të Kukësit askush nuk pranoi të prononcohej për mënyrën se si do të zgjidhet ky problem. Deri në gjetjen e gjuhës së përbashkët ndërmjet pronarit të tokës dhe bashkisë varrezat e qytetit do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura.
/Flutura Tota/AS/