Prishtine - Kuvendi i Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme miratoi Rezolutën mbi përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, të propozuar nga Grupi Parlamentar i Deputetëve të PDK-së. Pro këtij dokumenti kanë votuar 83 deputetë,
kundër u deklaruan 13, ndërsa 1 abstenoi, ndërkohë që në sallë ishin të pranishëm 108 deputetë.
Votimi u zhvillua pas një debati të përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare, përveç atij serb SLS. Në këtë mënyrë Kosova mori përsipër të gjitha detyrimet për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, si vendim i Grupit Ndërkombëtar Drejtues, i bërë publik ditë më parë pas mbledhjes në Vjenë. Lëvizja “Vetëvendosje” paraqiti një projektrezolutë tjetër, duke iu kundërpërgjigjur asaj të PDK-së, pa e mohuar atë, por me pika shtesë. Pavarësia e mbikëqyrur pritet të marrë fund deri në fund të vitit 2012.