Bruksel - Bisedimet Prishtinë-Beograd do të rinisin sot në Bruksel. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të dyja palët ndërsa ndërmjetësuesi evropian Robert Kuper ka bërë publike çështjen që pritet të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal
dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme. E para ka qenë edhe shkaku i ndërprerjes së bisedimeve për disa muaj, pasi palët nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në forumet dhe nismat rajonale.
Përderisa Prishtina ka kërkuar përfaqësimin e saj si shtet, Beogradi ka insistuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Ditët e fundit, qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi janë pajtuar që Kosova të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë gjë qe ka nxitur edhe reagimin kundërshtues të opozitës kosovare. Ndërmjetësi evropian, Robert Kuper, ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, duke thënë se një gjë e tillë është ekstremisht e rëndësishme. Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në mars të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.