Mitrovicë - Tre persona të maskuar kanë sulmuar me shufra hekuri një shqiptar, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 20:30 në zonën e "Tre Rrokaqiejve", në veri të Mitrovicës.
Viktima Edon Balaj ka thënë se ishte duke shkuar në banesën e tij tek "Tre Rrokaqiejt", kur papritur tre persona të nacionalitetit serb, me maska dhe me shufra hekuri, e kanë sulmuar pa ndonjë arsye duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë, dorën e djathtë dhe në pjesë të tjera të trupit. Sipas tij, sulmuesit në gjuhën serbe gjatë tërë kohës e kanë ofenduar vetëm se ishte shqiptar.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, i cili u shpreh për "Kosovapress" se policia është informuar për ngjarjen nga personeli i shtëpisë së shëndetit në Mitrovicë. Hoti shtoi se policia deri në këto momente nuk ka arritur të arrestojë asnjë të dyshuar në lidhje me këtë rast.