Kukës - I PLOTE - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Kukësit, ku 15 studentë janë plagosur si pasojë e rrjedhjez së gazit nga një bombol me të cilën po ngroheshin. Ngjarja ka ndodhur në një prej auditorëve
të Universitetit të Kukësit, të Fakultetit të Infermierisë, ku studentët ishin duke marrë leksione. Një nga studentët që ishte i pranishëm në leksion tha për agjencinë ANA News, se gazi ka zënë një pjesë të mirë të studentëve. Ata kanë shfaqur shenjat e asfiksisë dhe studentët e tjerë që ishin në gjendje më të mirë kanë njoftuar personat e tjerë që ndodheshin në ambientet e universitetit dhe i kanë dërguar të dëmtuarit me urgjencë në spital.
Ata janë dërguar me makina të rastit ndërsa janë shtruar në urgjencën e Spitalit të Kukësit, që prej ditësh është në gadishmëri. Për agjencinë ANA një nga mjekët e spitalit tha se,
të gjithë studentët janë jashtë rrezikut për jetën. Ata janë vënë në serume për të marrë veten dhe më pas sipas gjendjes shëndetësore të së cilit do të shoqërohen për në shtëpi ose do të mbahen nën përkujdesje.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniforma të shumta policie që kanë nisur hetimet, por shkak besohet se ka qenë rrjedhja e gazit gjatë ngrohjes së tyre.