Tiranë - LAJMI I PLOTE - Krimet e ndodhura mbrëmjen e djeshme në kryeqytet kanë detyruara krerët më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të zhvillojnë një takim urgjent në ambientet e Policisë së Tiranës. Lajmi është bërë
i ditur nga burime pranë policisë. Sipas tyre, mbledhja ka në fokus të saj, situatën kriminale të ditëve të fundit në Tiranë, ku janë kryer disa grabitje dhe dy vrasjet e fundit duket se i kanë “vënë kapakun” shqetësimit të krerëve të policisë.
Në drejtorinë e policisë së Tiranës, shefi i krimeve të rënda Tonin Vocaj dhe nëndrejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit Agron Kuliqi janë mbledhur me shefat e komisariateve për zbardhjen e vrasjeve të dy femrave. Burimet kanë bërë të ditur se, pritet që të ketë dhe ndëshkime në lidhje me punën e dobët të policisë në terren.
Policia ka vijuar marrjen e dëshmive të familjarëve dhe të njohurve të 35-vjeçares Basha për zbulimin e krimit të vrasjes së saj. Nëna e dy fëmijëve u gjet e vrarë në një rrugicë pranë banesës së saj rreth orës 18:15 të mbrëmjes së të enjtes. Policia ka nisur ballafaqimin e dëshmive të marra nga familjarët dhe të afërmit për të rënë në gjurmët e autorëve të interesuar për këtë krim.
Ndërsa për ngjarjen e ndodhur rreth orës 22:10 në zonën e Komunës së Parisit, u vra Megi Jukiçi, nga plumbat që ishin drejtuar për të vrarë Aleksandër Gocajn, ky I fundit I plagosur në të njëjtën ngjarje. Jukiçi nuk kishte lidhje me ngjarjen që zhvillohej para vendit ku ajo ndodhej në automjetin e parkuar të të fejuarit. Policia ka gjetur pronarin e automjetit tip fuoristradë me të cilën u larguan autorët. Mjeti u gjet i përplasur 300 metra larg vendit të ngjarjes. Personi I shoqëruar në Sauk si pronari I mjetit deklaroi se ia kishte shitur atë një aksioneri të një firme ndërtimi. Policia po heton konfliktet e mundshme të matjanit 27-vjeçar I cili ishte objektivi I atentatorëve, si dhe ndonjë grindje të castit në ndonjë nga lokalet e lojërave të fatit.