Paris - Kandidatët presidencialë në Francë kanë nxehur motorët e fushatës për zgjedhjet e 22 prillit. Një ditë pasi njoftoi zyrtarisht rikandidimin e tij edhe për një mandat tjetër, presidenti Nicolas Sarkozy nisi takimet e tij elektorale. Duke folur para
mbështetësve të tij në qytetin alpin Anesi, Sarkozy e quajti mashtrues rivalin e tij socialist Fransua Hollande, lidhur me premtimet e tij elektorale.
“Kur deklaron për shtypin anglez se ju jeni pro politikave të tregut të lirë, ndërsa mediave franceze u thua se financat janë armiku i vendit, atëherë ju po mashtroni. Mashtroni nga mëngjesi në mbrëmje,” tha Sarkozy. Kandidati i majtë për President të Francës, Hollande kryeson në sondazhe për garën e Elizese, edhe pse në sondazhin e fundit, Sarkozi kishte një rritje me një pikë. Sipas këtij sondazhi, të kryer më 15 dhe 16 shkurt nga kompania “BVA”, Hollande ka 31 për qind të preferencave të votuesve, ndaj 26 për qind që ka Sarkozi.