Komplot për të vrarë Papën, apo thjesht një shaka pa kripë? Ende nuk është zbuluar asgjë, ndonëse autoritetet e Vatikanit kanë kërkuar nisjen e një hetimi për një letër adresuar atit të shenjtë më 30 dhjetor të 2011, letër
e cila Papës iu dorëzua vetëm në janar e në të cilën ai kërcënohet rëndë, herë në mënyrë indirekte, e herë me shprehjen: “Do të vritesh brenda 12 muajve”.
“Na lini të shqetësohemi vetë për njëri-tjetrin, na lini të ndezim vetë dashurinë dhe dëshirën për punë të mira. Leksionet tuaja nuk na ndihmojnë. Ato s’na ofrojnë asnjë mundësi për të reflektuar se cila është zemra e vërtetë e një besimtari të krishterë. Ju gënjeni. Ju vidhni”. Kjo është vetëm një pjesë e publikuar e letrës, e cila është shkruar në gjuhën gjermane, por që në mediat botërore është përkthyer në anglisht, e aktualisht ruhet në formën e një dokumenti të rëndësishëm. Në këtë letër, përveç kërcënimeve për jetën e Papës, ai cilësohet si një njeri i pabesë e i pafe, si një njeri i korruptuar e që mendon veç për vete. Sipas autorit të letrës, Papa Benedikti i XVI nuk meriton të quhet at i shenjtë, pasi ai nuk është i shenjtë as për veten e tij jo më për të tjerët.