Berlin - Një grup me 19 turistë gjermanë kanë parashtruar një ankesë në policinë gjermane, kundër kapitenit italian të anijes Costa Concordia. Avokati i grupit Hans Reinhardt, tha se kapiteni Francesco Schettino, "për shkak të neglizhencës
u ka shkaktuar atyre dëmtime trupore, i ka ekspozuar para rrezikut, ka rrezikuar lundrimin dhe ka dështuar t'u ofrojë ndihmë personave në vështirësi". Reinhardt tha se parashtrimi i ankesës nuk ka për qëllim që të nisë ndonjë proces gjyqësor në Gjermani, por më shumë që të pretendojë dëmshpërblim nga kompania italiane. Costa Concordia kishte më shumë se 4 mijë njerëz në anije, kur u fundos më 13 janar, duke lënë të vdekur të paktën 17 persona. Kapiteni Schettino është nën arrest shtëpiak, nën akuzat për vrasje pa paramendim, për fundosjen e anijes dhe braktisjen e saj.