Athinë - Parlamenti grek nis debatin për detajet e marrëveshjes mbi paketën e re të ndihmës financiare nga Bashkimi Europian, votim që pritet të ndodhë mesnatën e së dielës, ndërsa në Athinë tensioni është rritur së tepërmi.
Marrëveshja është e domosdoshme që Greqia të marrë paketën prej 130 miliardë eurosh në këmbim të reformave të gjerë strukturore, shkurtimeve në sektorin publik dhe reduktimin e pagave në sektorin privat. Ndërsa parlamenti mbetet i rrethuar me një kordon të ngjeshur policor dhe protestues që sfidojnë edhe kushtet e motit të keq, edhe brenda seancës priten debate të ashpra. Të paktën dhjetë deputetë të PASOK dhe gjashtë të Demokracisë së re, të dyja parti që mbështesin qevrinë Papademos, kanë deklaruar votën e tyre kundër masave të kursimit, duke e tensinuar edhe më shumë situatën.
Laos, i ekstremit të djathtë, u tërhoq nga koalicioni të premten, dhe vetëm dy nga 16 deputetët e saj do të votojnë pro marrëveshjes. Papandreu dhe Samaras kanë paralajëmruar deputetët e tyre se mund të përjashtohen nëse dalin kundër vendimeve të partisë pro paketës. Ndërsa kryeministri Papademos në një apel të fundit, drejtuar kombit paralajmëroi se rrëzimi i marrëveshjes, do të thotë rrënim për Greqinë. "Jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se programi ekonomik i vendosur si kusht do të thotë sakrifica afatgjata dhe të dhimbshme për popullin grek. Disa thonë se përballë këtyre masave, falimentimi do të ishte opsion më i mirë. Këta të fundit gabohen rëndë. Një faliment i pakontrolluar do ta hidhte vendin në një aventurë katastrofike. Do të krijonte kushtet për kaos dhe shpërthim social" u shpreh Papademos.
Kryeministri tha gjithashtu, se grekët do të vuajnë uljen maksimale të standarteve të jetesës dhe mungesën e karburantit dhe medikamenteve, nëse nuk miratohet paketa e re e kursimeve në Parlament, kusht për ndihmën europiane. Por, qytetarët të thirrur nga sindikatat, planifikojnë një tjetër protestë përpara parlamentit, pasoja e së cilës, pas përleshjeve në manifestimet e dy ditëve të fundit, nuk mund të parashikohen. Për këtë arsye, autoritetet kanë rritur maksimalisht masat e sigurisë.